Institucionet publike zhvillojnë tenderë problematikë për polici private

INVESTIGIM13 Nën 2015

Në rajonin e Korçës, vetëm gjatë vitit 2015, gjysma e tenderëve për shërbimin e ruajtjes së sigurisë fizike janë kontestuar nga operatorët pjesëmarrës, por pavarësisht shkeljeve të konstatuara, shumë pak masa ndëshkimore janë ndërmarrë.

 

Autor: Dhorjela Çule | BIRN | Tiranë

 

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga databaza e ankimimeve të Komisionit të Prokurimit Publik, KPP, tregojnë që nga janari deri në shtator të vitit 2015, vetëm në rajonin e Korçës, pati të paktën 23 ankesa nga operatorë të ndryshëm për shkeljen e procedurave të tenderimit në prokurimet e ruajtjes së sigurisë fizike nga institucione të ndryshme.

 

Ankesat e operatorëve kanë prekur institucione vendore dhe qendrore, si dhe kompani publike si Posta Shqiptare Sha dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.

 

Në ankesat dhe vendimet e KPP-së të monitoruara nga BIRN, operatorët ankimojnë vendimet e Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, KVO, për të skualifikuar ose kualifikuar operatorë të tjerë ose kërkojnë modifikim të procedurave të prokurimit.

 

Nga 23 ankesat e trajtuara nga KPP-ja gjatë nëntëmujorit të parë të 2015-ës për tenderë për roje sigurie ose shoqërim valutash për rajonin e Korçës, në 13 raste KPP ka pranuar ankimimin në mënyrë të plotë ose të pjesshme, në 9 raste KPP e ka hedhur poshtë ankimimin, ndërsa në një rast kompania është tërhequr nga ankimimi në KPP.

 

Tregu i sigurisë dhe i ruajtjes me roje private në rajonin e Korçës ka qenë më parë në qendër të një hetimi të thelluar të Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2013, i cili dyshonte se një grup operatorësh më bazë në këtë qytet bënin oferta të koordinuara.

 

Autoriteti i Konkurrencës evidentoi gjatë hetimit praninë e një numri faktorësh që mundësojnë ekzistencën e marrëveshjeve, si oferta të përsëritura, ngjashmëri në kryerjen e shërbimit dhe shenja komunikimi midis ofertuesve.

 

Megjithatë, në fund të hetimit arriti në konkluzionin që edhe pse këta faktorë janë prezentë, nuk provohet se ka “çuar në një marrëveshje në oferta në tregun e prokurimeve publike të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike në qytetin e Korçës për rastet e shqyrtuara.”

 

Korça nuk është rajoni i vetëm në Shqipëri ku ka probleme me procedurat e prokurimit për roje sigurie private. Sipas raportit vjetor të KPP-së për vitin 2014, shërbimi i ruajtjes fizike është një nga procedurat për të cilën Komisioni “është investuar shumë”.

 

Sipas KKP-së, specifika kryesore në objektet e ankimimit për këtë shërbim mbetet përcaktimi si i parregullt i kostos ligjore gjatë paraqitjes së ofertave të tyre në rastet e procedurave të prokurimeve pёr ruajtjen me roje private nga ana e autoriteteve kontraktore si edhe nga vetë operatorët ekonomikë.

 

Ekspertët thonë se përveç përcaktimit të parregullt të kostove ligjore, numri i lartë i ankesave për tenderë të ruajtjes së sigurisë fizike vjen gjithashtu si rrjedhojë i faktit që ky lloj prokurimi përbën gati gjysmën e volumit të prokurimeve të mbajtura nga Agjencia e Prokurimit Publik.

 

Por megjithëse në këtë lloj tenderësh KPP-ja konstaton shpesh shkelje ligjore nga KVO-të, Komisioni sugjeron shumë pak masa administrative në diapozitivat e vendimeve që merr për zyrtarët përgjegjës, të cilët veprojnë nën një frymë pandëshkueshmërie.

 

Institucionet, procedurat e prokurimit të së cilëve për roje sigurie fizike dhe shoqërim valutash për rajonin e Korçës janë ankimuar në KPP gjatë 2015, janë Posta Shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë, OSHEE, Dega e Doganës Korçë, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, Gjykata e Apelit Korçë, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Prefektura, Drejtoria e Trajtimit të Studentëve, Muzeu i Artit Mesjetar, Muzeu i Arsimit dhe Muzeu Arkeologjik Korçë, Drejtoria e Stacioneve Transmetuese RTV, Tregu i Shitjes me shumicë Fruta Perime Korçë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe Drejtoria Rajonale e OSHEE-së Korçë.

 

Tenderi më i vogël i ankimuar u hap nga Dega e Doganës Korçë me një fond limit prej 733 mijë lek, ndërsa ai më i larti prek një vlerë prej 6.5 milion lek – i hapur nga Drejtoria Rajonale e OSHEE-së për ruajtjen dhe shoqërimin e vlerave monetare. Vlera totale e tenderëve të ankimuar llogaritet në 33.17 milion lekë, nga të cilët 25,7 milionë lekë janë tenderë për të cilat Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimet e KVO-ve pasi i ka gjetur në shkelje të procedurave të prokurimit.

 

“Ka një numër të lartë ankesash sepse ka një numër të lartë të vetë tenderëve me objekt ruajtjen e sigurisë fizike,” shprehet Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Res Publica në Tiranë dhe autor i studimit ‘Pandëshkueshmëria në fushën e prokurimeve publike’.

 

Sipas Matlijës, tenderët e ruajtjes së sigurisë fizike përbëjnë gati gjysmën e numrit total të tenderëve publik në Shqipëri. Megjithatë, për shkak të një vendimi unifkues të KPP-së që ka vendosur kosto minimale për këtë lloj shërbimi, fituesi i këtyre tenderëve nuk përcaktohet vetëm nga oferta më e ulët.

 

“Në tenderët e policisë private, oferta fituese nuk mjafton të jetë thjesht më e lirë, por duhet të jetë në përputhje me një analizë të kostove që të mos jetë nën minimumin ligjor,” tha ai.

 

Një nga tenderët e kontestuar në qarkun e Korçës ka qenë dhe ai i mbajtur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në procedurën e prokurimit “Kërkesë për propozim” me objekt: “Ruajtja e objekteve ruajtjen e godinës së DRT Korçë, Agjencive Tatimore Pogradec, Kolonjë, Bilisht)”, Loti 8, me fond limit 4.373.201 lekë (pa TVSH), zhvilluar nё datën 10 korrik 2015.

 

Në tender kanë marrë pjesë pesë operatorë, të cilët kanë dhënë oferta nga 3.7 milion në 4.3 milion lekë. Komisioni i vlerësimit të ofertave ka shpallur fitues kompaninë Gora Sh.p.k, me ofertën më të ulët, pasi i ka radhitur ofertat e operatorëve si më poshtë.

 

“Gora” 3.971.604 lekë, kualifikuar

“Eurogjici Security” 3.995.790,74 lekë, kualifikuar

“Vaso Security” 4.002.218 lekë, kualifikuar

“Security-Korça” 4.215.994,06 lekë, kualifikuar

“Ernisa-S” 4.368.000 lekë, kualifikuar

Kundër vendimit të KVO-së kanë bërë ankimim pranë autoritetit kontraktor dhe KPP-së kompanitë Eurugjici Security dhe Vaso Security.

 

Eurogjici Security pretendonte se kompani e shpallur fituese Gora sh.p.k duhet të skualifikohet pasi “nuk disponon licencë për ngritje dhe shfrytëzim sistemi të pavarur radio-komunikacioni, lëshuar nga AKEP-i me zonë mbulimi rrethin e Korçës, Kolonjës dhe Bilishtit, nuk plotëson kërkesën për shlyerje e detyrimeve të energjisë elektrike, dhe se ka paraqitur ofertë nën koston ligjore”.

 

Ndërkohë kompania Vaso Security, ka paraqitur ankesë pranë autoritetit kontraktor, duke kundërshtuar kualifikimin e operatorëve ekonomikë “Gora” sh.p.k dhe “Eurogjici Security” sh.p.k,, duke i akuzuar të dy kompanitë për mospërmbushje të një sërë specifikimesh, më i rëndësishmi ndër të cilët ai i ofertës nën koston ligjore.

 

Mbasi autoriteti kontraktor ka hedhur poshtë ankesat e Eurogjici Security dhe Vaso Security, të dy kompanitë e kanë apeluar vendimin e KVO-së në KPP.

 

Me datë 14 shtator, Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vendimin për të hedhur poshtë ankesën e Vaso Security dhe pranimin e ankesës së Eurogjici Security për të skualifikuar nga tenderi operatorin Gora Sh.p.k., pasi vlerëson se operatori ka bërë një ofertë nën koston ligjore.

 

“Nisur nga pretendimet e ankimuesve, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim ofertat ekonomike të operatorëve ekonomikë “Gora” sh.p.k, dhe “Eurogjici Security” sh.p.k,” shkruan KPP në vendimin e saj.

 

“Nga ky shqyrtim, si dhe nga përllogaritjet e kryera rezulton se, oferta ekonomike e shoqërisë “Gora” sh.p.k nuk mjafton për kryerjen e shërbimit sipas parashikimeve të bëra nga autoriteti kontraktor në dokumentet e tenderit,” shton ai.

 

Vendimi i KPP-së, i cili në praktikë e shpall kompaninë Eurogjici Security fituese të procedurës së prokurimit, iu dërgua Agjencisë së Prokurimit Publik, APP.

 

Megjithatë, në vendimin e saj KPP nuk liston asnjë masë administrative për anëtarët e KVO-së që kanë shkelur ligjin duke e kualifikuar kompaninë Gora Sh.p.k. edhe pse nuk përmbushte kriterin e kostos ligjor siç parashikohet në vendimin unifikues të Komisionit.

 

Edhe pse ka marrë 12 vendime për të hedhur poshtë vendimmarrjet e KVO-ve në tenderë për roje te sigurisë fizike në rajonin e Korçës gjatë 2015-ës, në asnjë rast Komisioni i Prokurimit Publik nuk i ka sugjeruar APP-së që të marrë masa administrative ose më gjobë për anëtarët e KVO-ve.

 

Sipas Matlijës, KPP-ja përveç shqyrtimeve të ankesës së operatorit, duhet të marrë në analizë dhe nëse ka shkelje të ligjit të tilla që shoqërohen me masa administrative ose me gjoba. Kur i konstaton këto shkelje, Komisioni vendos në dispozitvin e vendimit detyrimin për agjencinë e prokurimit publik, APP, që t’i marrë këto masa administrative apo gjoba për kundërvajtje administrative. Megjithatë, siç shihet dhe nga analiza e të dhënave për tenderët e sigurisë publike në rajonin e Korçës, KPP-ja shumë radhë e vendos në dispozitivin e vendimit masa ndëshkimore.

 

“Nga monitorimi që kemi bërë vjet, nga 202 raste shkeljesh të konstatuara nga KPP-ja vetëm në 1 rast është dënuar dikush me gjobë dhe në shtatë raste tjerë dikush është dënuar me tërheqje vëmendje,” tha Matlija.

 

“Kemi të bëjmë më një tolerancë prej 99.5 për qind për shkeljet në tenderë, ndryshe nga toleranca që aplikohet në fushat të tjera dhe kjo bën që këta zyrtarë të inkurajohen sepse kanë vetëm 0.5 për qind shans të dënohen,” përfundoi ai.

 

Dhorjela Çule është marrëse e grantit hulumtues të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania, bërë i mundur me mbështetjen e USAID. Opinionet e autorit të shprehura në artikull jo domosdoshmërish reflektojnë ato të USAID apo të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *